Çështje të përshtatshme për ndërmjetësim
Ndërmjetësimi zbatohet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të parashikuara më poshtë, në çdo kohë që palët në konflikt, me vullnetin e tyre të lirë, kërkojnë dhe pranojnë ndërmjetësimin si alternativë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, pavarësisht nëse mosmarrëveshja është paraqitur përpara organit të përcaktuar nga ligji për zgjidhjen e saj.
Dispozitat e ligjit zbatohen edhe në ato raste kur gjykata apo organi përkatës shtetëror, pas vënies në lëvizje për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, njofton dhe udhëzon palët drejt ndërmjetësimit.
Ndërmjetësimi zbatohet për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve në fushën e së drejtës civile, tregtare, të punës dhe familjare, pronësisë intelektuale, të drejtave të konsumatorëve, si dhe të mosmarrëveshjeve midis organeve të administratës publike dhe subjekteve private.
Ndërmjetësimi në fushën penale zbatohet për mosmarrëveshjet që shqyrtohen nga gjykata me kërkesën e viktimës akuzuese sipas nenit 59 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe në çdo rast kur ligji i veçantë e lejon atë. Për ndërmjetësimin në çështjet penale me të mitur zbatohen dispozitat e Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur.
Gjykata ose organi përkatës shtetëror, brenda kompetencave të parashikuara në ligj, detyrimisht njofton, udhëzon dhe, sipas rastit, informon në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme palët për zgjidhjen me ndërmjetësim, veçanërisht, por pa u kufizuar vetëm në to, të mosmarrëveshjeve:
- Në çështjet civile dhe familjare, kur ndërthuren interesat e të miturve;
- Në çështjet e pajtimit në rastet e zgjidhjes së martesës, të parashikuar nga neni 134 i Kodit të Familjes;
- Me karakter pasuror, që lidhen me të drejtat e pronësisë ose të bashkëpronësisë, pjesëtimin e pasurisë, paditë për kërkimin e sendit, për paditë mohuese e për paditë për pushimin e cenimit të posedimit, mosmarrëveshjet që rrjedhin nga mospërmbushjet e detyrimeve kontraktuese, si dhe ato që kanë si objekt shpërblimin e dëmit jashtë-kontraktues.
Në rastin e mosmarrëveshjeve në fushën penale, kur procedimi penal ka nisur, gjykata detyrimisht njofton dhe udhëzon palët për zgjidhjen me ndërmjetësim të mosmarrëveshjeve të parashikuara në nenin 59 të Kodit të Procedurës Penale
Nëse palët me kontratë apo marrëveshje me shkrim kanë parashikuar kushtin se ndërmjetësimi do të jetë alternativa e parë e zgjidhjes së konfliktit, para asaj gjyqësore, gjykata nuk e merr në shqyrtim çështjen pa u zbatuar ky kusht.
