Ndërmjetësimi

Ndërmjetësimi është një proces në të cilin një palë e trete që quhet ndërmjetësues ndihmon palët në konflikt të negociojnë një marrëveshje të pranueshme nga të dyja palët.

Ndërmjetësimi bazohet në parimin e barazisë së palëve, konfidencialitetit të të dhënave, si dhe në respektimin e fleksibilitetit e të transparencës së procedurave dhe të vullnetit të palëve në proces.

Ndërmjetësi, në ushtrimin e funksionit të tij, siguron që procesi për zgjidhjen e çështjes të realizohet me efikasitet, drejtësi dhe paanshmëri, si dhe në mënyrë profesionale e pa paragjykime ndaj palëve apo çështjes, objekt ndërmjetësimi.

Ndryshe nga gjyqi ose arbitrazhi, askush nuk mund te imponoje një zgjidhje mbi cilëndo palë. Nëse të gjitha palët nuk dakordësohen me përfundimin, konflikti mbetet i pazgjidhur dhe palët i drejtohen gjykatës si hallkë e fundit ligjore për zgjidhjen e mosmarrëveshjes. Ndërmjetësimi u jep palëve me shume kontroll mbi mënyrën se si ata merren me konfliktet dhe diferencat midis tyre, si dhe mbi rezultatin.

Ndërmjetësimi për zgjidhjen me pajtim të mosmarrëveshjeve është veprimtari e pavarur, që ushtrohet në përputhje me këtë ligj dhe nën monitorimin dhe mbikëqyrjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Ndërmjetësit nuk kanë të drejtë të urdhërojnë apo të detyrojnë palët të pranojnë zgjidhjen e mosmarrëveshjes.