Ndërmjetësimi në çështjet penale me të mitur​

Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur ka parashikuar kriteret dhe kushtet kur prokuroria ose gjykata vendos për zbatimin e masës së shmangies nga ndjekja penale për të miturin (neni 55). Në këtë rast, organi procedues prokuroria vendos zbatimin e shmangies së të miturit nga ndjekja penale kur ka prova të mjaftueshme për një dyshim të arsyeshëm se i mituri ka kryer një vepër penale, për të cilën parashikohet dënim me burgim deri në 5 vjet në maksimum ose me gjobë.

Prokurori , në këtë rast vendos zbatimin e masës alternative për shmangien nga ndjekja penale duke vendosur që  të zbatohet programi i drejtësisë restauruese dhe ndërmjetësimit. Organi procedues vendos për zbatimin e programit të drejtësisë restauruese, në përputhje me legjislacionin për ndërmjetësimin, me qëllim krijimin e mundësive për të miturin që të korrigjojë pasojat e veprës penale të kryer prej tij ndaj viktimës, komunitetit dhe/ose shoqërisë.

Programi i drejtësisë restauruese mund të zbatohet nëse:

  1. i mituri, mbrojtësi dhe, sipas rastit, përfaqësuesi ligjor, japin lirisht pëlqimin për marrjen e një vendimi të tillë; dhe
  2. çdo marrëveshje për korrigjimin e pasojave të veprës penale të kryer nga i mituri është e arsyeshme ose e përshtatshme.

Programi i drejtësisë restauruese mund të parashikojë që të miturit t’i kërkohet:

  1. a) të pranojë dhe të tregojë se e kupton përgjegjësinë për veprën penale dhe të pasojës së ardhur ndaj viktimës;
  2. b) të kompensojë dëmin e shkaktuar viktimës, komunitetit dhe/ose shoqërisë;
  3. c) t’i kërkojë falje viktimës; dhe

ç) të ndërmarrë veprime të pranueshme edhe nga viktima ose/dhe komuniteti.

Ndërmjetësimi familjar dhe në grup është një masë alternative për shmangien e ndjekjes penale, ku marrin pjesë bashkërisht me viktimën dhe të miturin në konflikt me ligjin, edhe të afërmit e tyre, persona nga rrethi i tyre shoqëror, përfaqësues nga agjenci publike për mbrojtjen e të miturve, mbikëqyrjen e tyre dhe parandalimin e kriminalitetit për të miturit. Në këtë proces i akuzuari dhe familja e tij pritet të arrijnë një marrëveshje me viktimën, e cila përfshin kompensimin e dëmit, kryerjen e detyrimeve që janë të pranueshme prej viktimës dhe që pritet të mbajnë të akuzuarin larg situatave konfliktuale të ngjashme në të ardhmen.

Në rast se propozimi i prokurorit/gjyqtarit për ndërmjetësim pranohet nga palët, atëherë prokurori/gjyqtari vendos pezullimin e procesit penal për një afat jo më shumë se 45 ditë. Nëse marrëveshja e ndërmjetësimit arrihet prokurori/gjyqtari vendos pushimin e çështjes. Në se marrëveshja e ndërmjetësimit nuk arrihet me kalimin e 45 ditëve, pezullimi bie dhe vazhdon hetimi/gjykimi i çështjes.

 

Për informacion më të detajuar na kontaktoni.

Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur

Ligji për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës

Konventa Europiane për të Drejtat e Fëmijës

Të miturit në Ndërmjetësim